Friday, August 1, 2008

5- Portokalli

Ashtu si te sfungjeri ka te portokalli një thithje për të rifituar brendinë pasi të jetë pësuar prova e shtrydhjes. Por aty ku sfungjeri ia del mbanë gjithmonë, portokalli asnjëherë: sepse qelizat e tij pëlcasin, thurjet e tij grisen. Ndërsa vetëm lëkura këndellet e kërpitet butësisht në formën e saj falë elasticitetit, një lëng qelibari përhapet, i shoqëruar nga freskimi, parfumi i këndshëm, sigurisht, por edhe nga vetëdija e hidhur e një nxjerrjeje përjashta para kohe të farave.
A duhet marrë pjesë në këto dy mënyra mbajtje të keqe të shtypjes? Sfungjeri nuk është veç muskul dhe mbushet me erë, ujë të pastër ose ujë të pisët sipas rastit: kjo gjimnastikë është e neveritshme. Portokalli ka shije më të mirë, por ai është shumë pasiv dhe kjo sakrificë kundërmuese... është për t’i bërë shtypësit vërtet një paraqitje shumë të mirë.
Por nuk është thënë mjaft për portokallin veç duke i kujtuar mënyrën e veçantë për të parfumuar ajrin e për të galduar armikun e tij. Duhet vënë theksi mbi ngjyrimin e bujshëm të lëngut që e shkakton, e që, më mirë se lëngu i limonit, kënaq laringun për t’u hapur gjerësisht për shqiptimin e fjalës ashtu si për gëlltitjen, pa asnjë kërveshje të trembur të pjesës së përparme të gojës për të cilën s’bën të kreshpërohen puprriqet.
Mbetesh veç kësaj pa fjalë për të shfaqur admirimin që meriton mbështjellësja e topit vezak të butë, të brishtë, ngjyrë trëndafili në këtë trashësi shuku letërthithëseje të njomë lëkura e të cilës jashtë mase e hollë por shumë e ngjyrosur me pigment, me shije të hidhur, është saktësisht aq e ashpër sa për të mbajtur denjësisht dritën mbi formën e përsosur të frytit.
Por në fund të një studimi shumë të shkurtër sa ç’është e mundur të plotë, duhet të vijmë te fara. Kjo kokrrizë, në formën e një limoni të vocërr jashtë jep ngjyrën e drurit të bardhë të limonit, brenda një të blerte bizeleje ose fare të njomë. Te kjo gjinden, pas shpërthimit të bujshëm të fenerit të shijeve, ngjyrave e parfumeve që përbëjnë vetë topin frutor, fortësia relative e njomësia (përveç kësaj jo krejtësisht pa shije) e degës, e gjethes: shuma fare e vockël ndonëse me arsyen e sigurinë për të qenë të frytit.

No comments: